Përshëndetje! (:

Artikulli i sotëm është një nga të preferuarit e mi, dhe kjo sepse lidhjet me një përjetim personal timin, dhe ato çfarë do lexoni më poshtë, janë gjëra që i mendoj plotësisht!
E kam shkuar këtë ca kohë më parë, por ishte pikërisht aty kur ia mora vetes frenat në dorë, për të shkëputur lidhjet me ndjenja që vetëm dëm më bënin, dhe vendosa të kërkoja më të mirën për veten time.
DHE E GJETA!

Si? Lexoni artikullin në vijim.

Si mund të të bëjë leximi i një romani, të ndalosh së ndjeri për dikë?!

Vërtet mundet një libër të të bëjë të ndalosh së dashuri dikë, apo së paku të ndryshosh ndjenjat kundrejt një personi?! Vërtet mundet një roman, një tregim, të ketë fuqinë për të të përcjellë një mesazh aq të fortë, sa për të të bërë të ndryshosh katërcipërisht, në mënyrë thuajse radikale ndjenjat e tua kundrejt dikujt?!
Jo, ky artikull nuk është një seri metodash të numëruara se si mundet një roman të të bëjë të ndalosh së dashuruari dikë. Për këtë nuk ka rregulla, nuk ka as klishe dhe as një matematikë të caktuar. Por ka ngjarje që i lexon, i sheh të përjetuara diku mes faqeve të një romani, dhe të sjellin revolucion brenda vetes.
Unë mendoj se po, në mënyrë drastike ose tërthorazi, çdo gjë që lexojmë, e sidomos romanet të cilëve u kushtojmë ndonjëherë orë e orë të tera leximi, faqet e të cilëve, i zëvendësojmë me orët e gjumit, mund të të ndihmojnë të reflektosh mbi gjërat, mbi njerëzit që të rrethojnë, atyre që u dhuron ndjenjat dhe kohën, mbi veprimet e tyre, sidomos kundrejt teje, dhe njëkohësisht të fillosh të kuptosh, të mos u japësh më të njejtat shpjegime dhe çdo gjë.

  E di kur fillon të duash më pak dikë? Kur fillon të dashurosh më shumë veten!

Dhe unë fillova ta dua më shumë veten, kur pas leximit të librit të fundit, AFTER nga Anna Todd, nisa të ndryshoja thuajse në thelb, mendimet, arsyetimet, dhe së fundmi ndjenjat.
Një histori dashurie që shkon përtej kësaj dhe që ktheu faqen time te medaljes nga koha ku unë i harxhoja të gjitha orët e ditës time, duke i drejtuar mendimet kah dikujt, që mua më drejtonte vetëm ca shikime plot mirësjellje dhe aq, tek vetja ime, tek pikësynimet e mia.
Nuk e di nëse revolucioni nisi tek ndjenjat, apo nëse ky ndryshim ndjenjash, çështje zemre siç e quajnë rëndom, ishte vetem kapaku i metamorfozave që ndodhën një e nga një.
Fillova të kuptoj se duhet të kemi sy, të shohim përtej të dukshmes, përtej veprimeve që aty për aty, nën shikimin e turbullt të euofrisë, të bëjnë të besosh se të gjitha veprimet nga ato më minimalet, ato që tregojnë çdo gjë veç dashurisë, t’i marresh trajtën e kundërt dhe të ngresh kështjella rëre e të fusësh aty ndjenjat.
Duke marrë shkas nga historia në roman, një histori dashurie që shkon përtej kësaj, në mënyrën se si dashuria paraqitej aq perfekte,fillova të kuptoj së asnjëherë gjerat nuk janë ashtu siç duken, dhe nëse nuk janë ashtu siç duken, si e dukshmja që ne do donim të ishte, nëse nuk marrin format që ne do donim të merrnin, është për një arsye: për ata që besojne tek fati, eshte çështje fati, për ata që besojnë tek vetja, është se diçka tjetër më e mirë është rezervuar për ta.
Unë qëndroj tek e mesmja e artë, e megjithatë, duke lexuar romanin, duke shikuar se si raporti dashuror midis dy protagonistëve në roman, zhvillohej çdo ditë e më tepër, më bënin të kuptoja, se dashuria është çdo gjë tjetër nga ajo që kisha menduar unë. Nuk ka të bëjë fare me kompromiset e ulta ku unë bija, ato që në fund të fundit vinin vetëm nga një anë, vetem nga unë. Kuptova se pritja ka vlerë vetem kur ti e di se dikush do vijë, në të kundërt duhet t’u vësh vizën ndjenjave dhe pjesës së dobët që të bēn njeri monoton dhe të trishtë. Dhe ashtu ndodhi. Duke lexuar se si dashuria është, se si duhet te jetë, dhe se si ajo çfarë unë po kaloja ishte mijëra vite dritë larg gjithë kësaj, unë hoqa dorë. Rash në paqe me veten dhe kur thash me në fund: “Gjerat janë keshtu dhe nuk do ndryshojnë asnjëherë!”, fillova të jem definititvisht mirë.
Dhe u bëra më e sigurtë, rrita vetëbesimin dhe kuptova se aftësitë e mia nuk varen as nga një mashkull, e aq më pak nga ca ndjenja që maksimumi një vit më vonë do i kujtoj, do buzeqesh dhe aq. Nisa të mendoj në mënyrë më të pjekur dhe të vlerësoja  gjithë potencialin brenda vetes, dhe brenda njerëzve që deri atëhere me kalonin pranë dhe as nuk i vija re.
Po mbi të gjitha kuptova, se nese dashuria nuk është pothuajse aq perfekte si unë po e lexoja përherë e më shumë në AFTER, nuk ia vlen fare të jetë. Nese nuk takon dikë që nuk të sheh si zgjidhje, por të mendon si zgjedhje, e aq më pak të sheh si qëndrim afatgjatë, nuk ia vlen as mundi as sakrificat, as edhe një grimë.
Dhe këtu nisa të bëj metamorfoza brenda vetes. Nuk e di nëse ndjenjat ikën, apo morën forma më të buta, shumë larg dashurisë. Por di se isha më në fund mirë!
Ishte revolucioni shpirtëror që AFTER solli në mua.

Po ju, cilat libra ju kanë bërë të përmirësoni konceptin që keni lidhur me dashurinë?!
Më lini mendimet tuaja më poshtë. Deri në artikullin e ardhshëm, lexim të kënshëm. (:

copyright. © /
Kristiana M.

2 Comments

  1. Rea ⛅ 01/31/2018 at 8:55 PM

    Kristiana mahnitem cdo here nga ty! ??

    Reply

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *