Unë ty të kam njohur përherë me sytë e dashurisë.
Ka një arsye pse është kaq e veshtirë ta nxjerrësh prej zemre, kë vetem pak kohë më parë e quaje “zemër”. Ka një, a njëqind arsye pse dhimbja është më e vogël se sa dashuria, e asnjëherë mjaftueshëm për të nxjerrë prej dashurisë tënde, kë ishte dashuri. E ka ndoshta jo një, as dy e as dyqind a një milion arsye pse unë nuk të nxjerr dot jashtë nga shpirti im. Por netëve para se dhimbjen time ta marrë gjumi, unë e kam nji arsye, mbi një milion të tjerat që ende nuk i kam zbuluar: unë ty të kam njohur përherë me sytë e dashurisë.
Për një si unë që e idealizon dashurinë me trëndafila e netë që kalohen poshtë yjeve, ti dhe snobizmi yt, nuk kishit as edhe një lidhje me “mua që bie në dashuri me ty”. Por buzeqëshja jote po. Edhe sytë. Edhe zëri. Edhe duart. Edhe përqafimet. Edhe të gjitha momentet që i krijuam kur të njoha, pastaj ashtu kot fillonim të buzëqeshnim e të qeshnim, e mes gjithë piklave të lumturisë, zemra ime bëhej jotja, e unë s’e dija aspak. Në të gjitha herët që shikoheshim, fshehurazi kinse për mos të kuptuar çfarë e sa ndjenim, unë fillova të të shoh me sytë e dashurisë, e jo më me të mitë që të kishin inat. Dhe prekjet e duarve pastaj, përqafimi që pastaj u bë përqafime, dhe inati im që u bë dashuri.
Unë dhe dëshira për të patur çdo gjë nën kontroll nuk e dinim se ti, ishe e vetmja gjë ku unë nuk mund të kisha kontroll, plane, sigurinë që një njeriu si unë i nevoitet tërë kohës. Ama, në gjithë këtë qartësia më e madhe që kam, është se kur bëhej fjalë për ty, bëhej fjalë për dashurinë e për “kë mua ma bën shpirtin e lumtur”.
Se të gjitha gjestet normale: mënyra se si i jepje makinës, se si përshëndesje njerëzit, se si i paguaje ushqimet në supermarket, apo se si ma mbaje dorën pa e patur mendjen aspak, unë i kam parë përherë me sytë e një vajze që kishte rënë tërësisht në dashuri me ty.
A të kujtohet kur të thoja se sa inat i kisha (dhe ende i kam) njerëzit që flasin me gojën plot? E pastaj në një drekë normale, ti, po me gojën plot, po më pyesje nëse më pëlqente ushqimi. Dhe unë, po me sytë e dashurisë të shikoja dhe mendoja se nuk kishte gjë më të bukur se sa ti. Edhe ka qenë aty kur kuptova se zemra ime nuk ishte më imja.
Po, unë të kam parë me sytë e dashurisë edhe kur grindeshim, kur nuk më ktheje mesazhet por shpinën, e unë mërzitesha, të shaja, të çmendja e pastaj qaja se ndjehesha fajtore për fajet e tua e për fjalet e mia të nxituara.
Të kam parë me sytë e dashurisë edhe kur nuk kam qenë zgjedhja e parë, kur ndjehesha më pak (apo aspak) dhe pasiguritë e mia i mbaja brenda dhe thyhesha, sepse shpirti im ishte më i ripërtëritshëm se nervat e tua që më quanin “kalama” apo jo?
Dhe unë të shikoja akoma me sytë e dashurisë edhe kur vendose se unë nuk isha më pjesë e jetes tënde. Kur ti, vendose për mua se koha do i sherojë të gjitha.
Unë të shikoja me sytë e dashurisë edhe kur mungesa bëhej tmerr e unë nuk flija dot netëve, e sytë e mi pastaj, kërkonin një dashuri, që s’ishte e tillë.
Po sot, në nji ditë që kalon, krejt si dje, unë dua t’i mësoj vetes, ta shoh veten e gjithë ndjenjat e mbledhura kulaç nga lodhja e frika, me po të njejtët sy prej dashurie. Por me të tjera trajektore, në një ditë si kjo, që ecën e kalon, e unë e shoh kah vetes!

Copyright. © /
Kristiana M.

1 Comment

  1. suela 01/19/2019 at 11:27 PM

    Sot do me zej gjumi me embelsi e me zemren plot nga ky super shkrim, aq shume dashuri sa ti transmeton😍😍❤️😘

    Reply

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *