Kur vjen puna në krijimin e një marrëdhënieje të shëndetshme brenda një raporti dashuror, është përherë e vështirë!

Sepse për të qenë të sinqertë, të qenit miq dhe të bërit thjesht ca udhëtime e të dalurit në qytet, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Unë personalisht, kam ëndërruar gjithmonë që personi që do kem në krah, të jetë pikë së pari, miku im i zemrës, e pastaj njeriu i shpirtit. Dikush me të cilin mund të flas pa frikë, pa droje e pa komplekse, çdo gjë…vërtet ÇDO GJË!
Dikush të cilin të mund ta marr në telefon edhe në nji të natës, dhe jo, nuk e kam fjalën për ato telefonatat romantike kur i them se më mungon dhe ai vjen poshtë shtëpisë me lule. Po flas për netët, ku jeta na përplas fytyrën për muri, na e zhvesh shpirtin, dhe e vetmja spirancë shpëtimi ndodhet në anën tjetër të telefonit.
Unë jam ëndërrimtare po. Kam ëndërruar përherë për një marrëdhënie si ato nëpër filma, me surpriza, me çokollata, me propozime që bëhen ulur në gjunj, e nga ana tjetër i mbaj sytë e zemrën hapur për të pranuar se, jo çdo dashuri është romantike sa dua.
E përtej ëndrrave romantike, kam ëndërruar edhe një partner që veçse dy duar që të përqafojnë shpirtin, është dikush që do ta përqafojë jetën me ty. Dikë që të jetë mbështetja më e madhe e llastimeve të mia, luhajtjeve të humorit e frikërave më së shumti. Dikë që ta dua më shumë nga sa dua shpirtin tim, e nga ana tjetër të më mësojë si të dua veten edhe në minutat e mia më të këqija.
Përputhja nuk është vetëm kur pëlqejmë të njejtat gjëra, të njejtat vende, ushqime a muzikë. Është kur unë pëlqej gjërat e tua sepse ty të bëjnë të lumtur. Përputhja është edhe përshtatje, dhe mendoj se kjo është ajo çfarë shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë. Se dashuria është përshtatje e ky është problemi me dashuri që ndalen vetëm tek pëlqimi dhe nuk shkojnë më tej. Po jeta është një gjë që ecën shpejt, ikën e ty të le prapa krahëve. E nëse ka diçka që kam kuptuar me muajt që iknin, stinet që ndërroheshin dhe unë që mbetesha në vend, është se lumturia të derivon nga vetja, e gjetja e partnerit ideal, është vetëm një plus më shumë.
Kam kuptuar se, nuk dua më të gjej “gjysmën time më të mirë”, se unë nuk jam gjysëm! Unë jam e plotë, e dua poaq dikë që të jetë poaq i plotë…e plotësia nuk do të thotë perfeksion.
Se jeta është e bukur me ditë që lindin e ne jemi gjallë, po bëhet më e bukur akoma kur ke dikë që të dashuron.
Le të jemi realistë, a ka gjë më të bukur se sa dashuria?! Se sa dy sy që nuk vijnë nga i njejti gjak, po duan të krijojnë një jetë bashkë me ty; t’i kalojë sfidat me ty; ditët e këqija me ty; të bukurat po e po dhe edhe ato që janë të shëmtuara po dashuria asnjëherë pikëpyetje.
Kam kuptuar se, jeta është përshtatje, është kompromis, edhe partneri i zemrës po ashtu. Po dashuria jo. Vetëm dashuria s’është kompromis. Se janë gjysmat që të ndajnë përgjysëm: gjysma më e mirë, gjysëm-marrëdhëniet, gjysëm-fjalët, gjysëm-fjalët e zemrës, gjysëm-dashuritë.
Dhe unë jam e plotë! Jam aq e plotë, me zemrën po të mbushur plot me nji vajzë që po kërkon të rritet e me aq shumë dashuri, sa meritoj botën.
E në botën time që dua ta krijoj vetë pak e nga pak, dua nji njeri që të më zgjojë çdo ditë me dëshirën për të qenë nji njeri më i mirë! Dikë që të më marrë dorën dhe jo ankesat, e ta sfidojmë jetën bashkë.
Copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *