Kam dashur të shkruaj për këtë ca kohë më parë, po ndonjëherë mendimet që ndalen nga koha, nga ngjarjet që ndodhin, njerëzit që ikin a futen në jetën tonë, janë gjëja më e duhur për të ndalur e për të marrë frymë. Është atipike e imja të shkruaj për gjëra që nuk flasin për dashurinë, por unë di se atje jashtë, ka njerëz që ia thonë vetes para pasqyrës, të njejtat fjalë poashtu si unë.
Kur ka periudha që ndryshohen, stil jetese që ndryshohet dhe pritshmëritë mbeten vetëm pritshmëri, ajo që ecën si një rrjedhë krejt normale tronditet e devijon. Ne kemi lindur në një shoqëri që na mëson të shkollohemi, të marrim nota të mira, të diplomohemi dhe pastaj pa kaluar as 24 orë, ta kemi jetën e stabilizuar. Por nuk është kështu se si gërat funksionojnë!
Dhe unë e di mirë se, ato si unë panikosen kur gjerat i dalin jo vetëm jashtë pritshmërive, por edhe jashtë kontrollit të planeve dytësore të mirëmenduara. E megjithatë, nëse ka dicka që kam mësuar këto javë, fare pak javë, është se paniku të vlen vetëm për të shkatërruar mundësitë e mira që na vijnë çdo ditë në jetën tonë.
Dua të them, çdo ditë është një munësi e mirë. Mund të mos jetë mundësia e mirë për të filluar punën e ëndrrave, por është mundësi më e mirë për të qenë i lumtur, për t’i thënë njerëzve të zemrës se sa shumë i do! Mund të mos jetë mundësia e mirë për të bërë miq të rinj, përkundrazi, mund të jetë mundësia më e mirë për të humbur miqtë e vjetër që në fund dalin se nuk janë edhe aq miq sa kujtoje. Ama kjo nuk duhet të të stepë. Ti, vetja ime në pasqyre, dhe vetja e çdokujt që fle e zgjohet me frikërat e pasiguritë e të qenit në një udhëkryq, e me ndjesinë se jeta nuk është në pikën ku do doje të ishte, kujto se, TI, vlen më shumë se sa frikërat e tua. Dhe ti, je mundësia më e mirë për të qenë njeri më i mirë.
Ti je më shumë se sa miqtë që të lejnë kur problemet e tyre mbarojnë, ndërsa të tuat sapo ta kanë trokitur derën. Ti je më shumë se sa një punë që e bën dhe nuk është puna që do. Ti je më shumë se sa fotot ne rrjete sociale që të mësojnë se lumturia ndërtohet mbi megapixela.
Është gabim, gabim fort!
Me kohën, me ditët, apo dhe me vetëm një ngjarje që hyn në jetën tënde e të trondit e të shkund, kupton se jeta e ti vetë je më shumë se sa kaq. Kupton se ti, je mundësia më e mirë: për të qenë e lumtur, për të dashuruar…njerëzit e zemrës dhe veten shumë fort; për të mësuar gjëra të reja, të provuar aventura të reja. Je mundësia më e mirë për ta nisur nga vetja ndryshimet që do doje t’i shihje tek të tjerët.
Ti, je mundësia jote më e mirë për t’i flakur pasiguritë dhe për të besuar në ëndrra që shumë shpejt, do dalin nga sirtaret dhe TI, do i jetosh me sukseset e tua.

copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *