Prej kaq shumë kohësh manifestoj dashurinë, atë që më së shumti të përket ty, dhe pastaj ndodh që harroj veten. Dhe kjo nuk është akuzë. Unë nuk dua të të quaj ty fajtor vetëm sepse unë nuk di të dua veten.
Të kam thënë sa e sa herë se sa bukur është të jetosh më ty, të zgjohesh në të njejtin qiell me ty, pranë përqafimit tënd prej jete dhe lumturie, e se si unë pastaj ndjehem e bekuar. Të kam thënë se si jam kaq e lumtur, dhe më duket se nuk do mund të të falenderoj apo të ta ulëras mjaftueshëm, mirënjohjen për kohën e investuar në mua, për të më bërë mua njeri më të mirë, më të fortë, e madje, për me e dash veten më shumë.
Në të gjitha herët kur kë ikur e unë të urreja se nuk më doje aq, aq sa të doja unë, aq sa për të qëndruar, aq sa për të më dashur mua më fort se inatin e egon tënde, aq sa për të më dashuruar mua, unë nuk kuptova kurrë!
Nuk kuptova se ndoshta po më mësoje të doja veten dhe vetminë time në fillim. Nuk i kapa në kohë shancet për të rënë në dashuri me vetminë time, me shpirtin tim edhe kur ai është harrakat e inatçor. Të merrja inat ty, që më lije, që doje veten më shumë, e duke e dash veten aq, unë nuk dita të dua mua, si ty, sa ty.
Dhe pastaj në të gjitha orët e pasmesnatave me shpirt të thyer ku më dukej se bota mbaronte aty, nuk mësova kurrë t’ia mblidhja shpirtin vetes, dhe të flija. Të flija e të harroja të rrebelohesha ndaj gjumit tënd që, veten e donte më shumë se sa britmat e mia kur të kërkoja të zgjoheshe e të më jepje vëmendje.
Nuk mësova t’i krijoj vetes, një qoshe për të mbajtur krenarinë e për të mbjellë, ku i dihej, ca më shumë dashni se sa ajo që të jepja ty.
Unë shihesha në pasqyrë dhe kisha frikë të doja vetëm veten.
Unë, egoistja kam dashur të tjerë më fort, e kisha frikë të të doja vetëm ty. Se ti, pasqyrimi i një vajze të vogel që i kërkonte fillin dashurisë, harronte ta kërkonte atë brenda vetes, brenda nji zemre që qante e përplaste këmbët që të tjerët ta donin.
Unë kam harruar të të dua ty më shumë, duke dash të tjerë, duke qarë për të tjerë, duke mos fjet kur të tjerët që për dreq…për dreq i doja më fort se ty, më lëndonin dhe gjenin strehë tek krenaria e vet.
Dhe unë sot e kuptoj. T’i shoh sytë me bebe e retinë të lodhur e zë të ngjirur; rrathët e zinj nga mosfjetja, nga pritja, nga lodhja, dhe pendohem!
Unë të shoh nga ana tjetër e pasqyrës, dhe i ul qepallat bashkë me ty. Se ti e unë, s’ditëm a s’deshëm, s’e di, me msu me e dash veten pak më shumë.
Se unë e ti, nji refleksion, nji vajzë përtej pasqyrës, që m’sheh e zhgënjyer më shumë nga ç’unë vetë jam, kishim frikë.
Se unë bashkë me ty, pata frikë të të doja vetëm ty…vetëm veten!

copyright. © /
Kristiana M.

4 Comments

  1. Zhaklina 04/05/2018 at 9:12 AM

    Wow…. Magnifiche!

    Reply
  2. Alba 05/15/2018 at 11:09 AM

    Çfarë shkrimi prekës e i bukur ?

    Reply

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.