Për kë më njeh, e di mirë se sa shumë i dashuroj unë ditëlindjet e përvjetoret në përgjithësi. Se sa shumë emocionohem, si nji fëmijë kur afron data e lindjes së dikujt që e kam fort përzemër, e në këtë rast, të nji diçkaje, nji bote ku kam futur gjithë ndjenjat dhe dashurinë time brenda.
Do kisha dashur që këtë shkrim ta kisha postuar dje, megjithatë, përtej dashursë time për ditëlindjet, koha dhe jeta ecin dhe një mijë impenjimet (dhe mosorganizimi im duhet ta pranoj hahah) bënë që të mund të ulesha të shkruaja vetëm sot.
Në ditëlindjen e parë të blogut, unë dua fillimisht t’ju them një FALEMINDERIT të madhe! Nësë nuk do ishte për ju, lexuesit e nji bote të vockël që me shumë dashuri po mundohet të bëhet e madhe, asgjë nuk do ishte kështu siç është. Kur kthej kokën pas dhe shoh rrugën që ka bërë blogu për të arritur këtu ku është, buzëqesh. I rikthehem herë pas here shkrimeve që nga fillimi, shoh zhvillimin që kanë marrë e me to edhe unë bashkë. Lexoj komentet, mendimet tuaja dhe kritikat për të cilat jam gjithashtu falenderuese.
Para se të nisja të shkruaja këtë shkrim, që për hir të së vërtetës doja të ishte më tepër i sinqertë se sa artistik, ndala tek shkrimi i parë që kam postuar vitin e shkuar, “Lloji i preferuar i lumturisë”, një ndër shkrimet që kam më përzemër.
Aty kam thënë se si përqafimet e atij njeriut tim special të zemrës, janë lloji i preferuar i lumturisë. E megjihatë unë me kohën që ka kaluar, kam kuptuar se nji lloj tjetër i lumturisë që ecën krah për krah me të parin, është edhe Nji lule diellit. Se në ditët e mia më të këqija, ku nji pjesë e vetes nuk ma donte veten, të shkruarit ka qenë rrezja ime e diellit dhe e shpëtimit. Se të shkruaj, është në fakt një nga gjërat që di të bëj më mirë, një nga gjërat që më bën njeri më të mirë, më bën të lumtur. Dhe kur unë jam e lumtur, më duket se kam po të njejtën energji me atë të luleve të diellit.
Ama në një vit, lule e diellit, nuk kam qenë vetëm unë. Keni qenë të gjithë ju që më keni falur kaq shumë dashuri e pozitivitet. Keni qenë ju kur më dërgonit mesazhe për të më thënë që të mos ndaloja kurrë së shkruari, dhe edhe më keni kritikuar kur nuk kam qenë në periudhat e mia më të mira për të shkuar.
Kjo e fundit ka qenë një periudhë mungese, sepse me gjithë gjërat dhe ndryshimet që kanë nodhur në jeten time së fundmi, unë kisha nevojë të shkëputesha nga bota e internetit, të gjeja rrugën që dua të ndjek, dhe të mund të kthehesha tek Nji lule diellit, me diell dhe dritë të re.
Mendoj se periudhes time të pushimit po i vjen fundi, dhe shumë shpejt do ndaj me ju gjëra të reja dhe të bukura. Unë mezi pres t’ju bëj pjesë të projekteve që Nji lule diellit ka menduar. Deri atëherë, ju falenderoj për pritjen dhe dashurinë e përhershme dhe ju dërgoj një përqafim të madh.
Nuk ju njoh të gjithëve, por ju kam xhan fort, secilin prej jush.
Me shumë dashuri,
Kristiana.

opyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *