Përshëndetje! (:

Si fillim dua t’i uroj cilitdo lexues të blogut, një vit më të mirë, më të mbarë dhe më produktiv se ai qe lam pas.
Nuk e di për ju, po unë në periudhën e festave, jam gjithmonë kaq e zënë duke blerë dhurata, duke spenzuar kohë me miqtë, po dhe duke punuar sa fare pak më del koha të lexoj librat që dua.
Por unë kam qenë përherë me idenë se koha është çështje justifikimesh, dhe të heqësh qoftë një orë nga rutina e zbatjeve të festave, ia vlen!
Perse?!
Arsyet i gjeni në artikullin e mëposhtëm.

 

Ndryshimet që derivojnë tek ne pas leximit të një libri. A na bëjnë librat njerëz më të mirë?

 

Në artikujt mëparshëm u përmend se si një libër me gjithë forcën që ka, mundet të depërtojë në jetën tënde dhe të ta ndryshojë katërcipërisht atë, por jo vetëm. Të të bëjë të ndryshosh mendim për veten, për njerëzit që të rrethojnë, për veprimet lidhur me ta, dhe madje edhe ndjenjat.
Duket qesharake apo jo? Megjithatë qëndron! Në fund të fundit, po ta mendosh mirë, është pak a shumë e njejta gjë me atë çfarë ndodh në jetën reale, me gjurmët dhe ndryshimet që lenë tëk ne, njerëzit që njohim. Vetëm se personazhet që i njohim në libra, nuk janë të prekshëm fizikisht, e megjithatë ndikojnë tek ne, shumicën e kohës në mënyrë të pavetëdijshme. Ne shikojmë vetëm rezultatin e ndryshimeve tona.
Sot dua të flas për diçka që mendoj se gjithkujt i intereson. Ndryshimet që dreivojnë nga leximi i një libri, ndryshimet mbi veten dhe për veten.
U përmend në Nji qoshe letrare pa korniza se të gjitha këto ndikime dhe ndryshime, vijnë si pasojë e marrjes së eksperiencës. Përveçse e njohim një karakter, një personazh të një libri, ne fillojmë dhe futemi në të, në brendësi të mendimeve, të veprimeve, duke kaluar shpeshherë cakun që narratori i veprës vendos. Ndeshemi me personazhe që janë protagonistë, ose jo. Zgjedhim të preferuarin dhe si asgjë të mos qe, në fund gjejmë shenja të tij të pasqyruara tek ne.
Nga gjithë ndikimet që mund të ketë një libër, unë dua të veçoj rritjen e vetëbesimit, që e lidh në mënyrë të drejtpëqrdrejtë me atë çfarë thash edhe më sipër: me ndryshimet për veten dhe mbi veten.
Eshtë me fat kush e ka çuar tashmë vetëbesimin në maja ose aty afër. Kush nuk ka frikëra dhe paranoja, kush ia njeh vlerat vetes dhe nuk ka frikë t’i nxjerri t’i bëjë publike dhe t’i ndajë me botën. Megjithatë, qëndron edhe ajo pjesa tjetër, ajo së cilës i duhet të  numërojë deri në dhjetë para se të shprehi një mendim, të këpuse petalet e tre margaritarëve para se të thotë çfarë mendon, para se me anë të një fjale a mendimi, të tregojë ç’vlera ka. Po, po flas për ata që kanë kaq pak vetëbesim, dhe që krahasuar me vlerat që mbartin si persona, shkon në përpjestim të zhdrejtë, më tepër nga ç’mund të shkojë çmimi me konsumin në ekonomi.
Sidoqoftë zgjidhje ka. Shumë preferojnë një mik, disa të tjerë video motivuese, e ca të tjerë akoma, një psikolog. Unë që nuk kam tepër besim tek njerëzit fizikë, preferova librin, dhe kjo sigurisht jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

photo credits : Sunflower 25.

AFTER, është fenomeni që ndryshoi kryekëput shumë gjëra në jetën time, duke nisur nga mua vetë, ndryshime të cilat, morrën shfaqje në marrëdheniet që unë kisha me të tjerët, po mbi të gjitha me veten time.
Ndërsa nisa të lexoja AFTER, personazhi kryesor femër, Tessa (Theresa Young)  më goditi menjëherë. Më dukej sikur autorja e librit Anna Todd, i kishte marrë të gjitha frikërat dhe pasiguritë e mia, dhe i kishte futur në një personazh. Dhe pa e kuptuar as unë vetë, gjeta dikë, një model jo fizik për të ndjekur.
Megjithatë lind pyetja: si mund të të rrisë një personazh vetëbesimin?!
Cdo gjë lidhet me marrjen e eksperiencës, me ndikimin që personazhi kryesor ka tek ti dhe jo vetëm. Eksperiencat nëpër të cilat personazhi në libër kalon, janë po ashtu baza që mund të të rrisin vetëbesimin. Ndërsa lexoja për fëmijerine e vështirë dhe traumatike që Tessa kishte kaluar dhe ndërsa më përplasej në fytyrë gjithë forca që ajo kishte gjetur për ta vënë jetën përpara dhe për të arritur aty ku kishte arritur, nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse të më inspironin. Ndërsa me faqet e romanit kalonin edhe gjithë gjërat e shëmtuara që ajo kaloi dhe që nuk vinin tanimë vetëm nga fëmijëria, dhe kur sërish u hasa me forcën me të cilën ajo i përballoi të gjitha, u inspirova sërish dhe mendova se nuk ka gjëra të pamundura.
Dhe aq u desh. Aq mjaftoi që të gjeja çelësin për të rritur besimin tek vetja, per të kuptuar dhe besuar se mund t’ia dal, qofshin ose jo situatat nëpër të cilat Tessa kaloi. Mjaftoi fare pak inspirim. Fare pak situata të ballafaquara me jetën time që të kuptoja se gjërat ecin keq vetëm kur ne vendosim dhe lejojnë të ecin ashtu.
Qesharake të thuhet, por AFTER më ndihmoi dhe frymëzoi se si t’i merrja në dorë frenat e vetëbesimit tim, dhe ta përdorja atë ku duhej, pikësëpari për t’u ndjerë mirë me veten, për të njohur veten dhe njerëzit që më rrethojnë.
Cfarë erdhi pas gjithë kësaj, kishte çmim të pashlyeshëm!

copyright. © /
Kristiana M

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *