«Po mirë, shpresoj që kjo të të bëjë të lumtur!»
«Nuk më bën të lumtur jo. Nuk jam i lumtur. Vetëm më i qetë.»

Po hajde shpjegoja ti mënyrës se si unë të dua ty, se lumturia dhe qetësia nuk janë derivat i njejtë i asaj që unë dhe ti supozohej të ishim.
Hajde shpjegoja ti, tani në mes të natës, vetes time që s’do të më dëgjojë, se për mua lumturia edhe qetësia fshiheshin pas syve e brenda përqafimit tënd.
Hajde shpjegoja ti mungesës time mallin që është bërë mal, e unë zhys zemrën aty si struci kokën e nuk dua të dal më.
Po hajde ma thuaj ti, sa vlen të humbasësh një dashuri? Të duhurën me njeriun e duhur, po me mënyrën e fjalët e paduhura. Eja më meso ti si të mësoj unë të të dua ty fiks, me pikë dhe presje, në mënyrën se si ti nuk më do mua. Se unë s’di (e s’dua).
E sa pragmatist mund të jetë dikush që të ka përqafuar shpirtin, e të të thotë se ti, je fytyra e lumturisë, po pa ty jeta qenka më e qetë. Se sa i ftohtë e i logjikshëm mundet të jetë dikush para dikujt që i ka shtrënguar dorën e trupin në një shtrat, në shumë netë, që bëheshin jetë që jetohet.
Po harresa qenka punë muti, dhe unë s’di të të harroj.
Eja ma mëso ti! Me logjiken tënde të duhur, hajde mësoja çmendurisë time që mbyll veshët përballë padashurisë tënde, e i bie murit me kokë, se koka dhimbka më pak se zemra.
Eja ma trego ti si të jem e qetë po jo e lumtur kur një ditë a një natë, në mes të një Tirane kaotike, unë ulur në një tavolinë me ty dhe gotën e verës para, ta marr shpirtin me shuplaka, e ta mësoj mos të bie në paqe përballë syve të tu.
Copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *