Në ka luftra ku kam mbijetuar, për të cilat ndjehem krenare, dhe më beso, ato si unë ndjehen shumë pak krenare për veten, janë ato me ty!
Unë dhe ti s’kemi patur ndonjëherë armë prej vërteti, nga ato që bëjnë zhurma e t’plasin trupin në gjak; nga ato që t’çajnë ku di se ku, e nuk ia sheh më dritën diellit. Ne, luftonim me armë të tjera: ti, me gjithë grumbujt e mosdashurisë për mua, ndërsa unë, me gjithë forcën që ushtroja për të të dashur më shumë.
Po nuk e dija kush fitonte, kush dilte i pari në beteja, ti që më shtyje, a unë që të bëja ballë, të ngrija kokën sy më sy dhe kur as shikimin nuk e drejtoje nga unë.
Po unë jam e çmendur apo jo?! Mbaj mend se si nuk ma thoje kurrë, po ta lexoja në sy, «Ti je e çmendur. Ti nuk kupton!» Dhe unë kuptoja, dhe urrehesha. Urrehesha që i fitoja vetë gjithë betejat në t’cilat ti ishe paracaktuar fitimtar me kohë, dhe mosdashuria jote, trofe prej ari!
Po sa të drejtë kishe! Sa t’drejtë kishte shikimi yt kur talleshe, kur ma thithje gjithë frymën e dashurisë, e pastaj bëje sehir kur shihje se si ia nisja betejave të humbura, nga e para.
Po sa herë t’kam thënë pa zë, të shkoje në djall, se hiqja dorë, se pranoja humbjet, madje dhe mospramimet e tua, që ishin edhe më keq. Në të gjitha herët kur të urreja, pastaj ca më fort akoma, kur të gjeja ty ashtu papritur të futur brenda një poezie te brishtë krejt, si unë vetë; kur të gjeja në ëndrrat utopike që bëja, kur ia lejoja vetes luksin e të menduarit se kisha fituar betejat me ty; kur buzëqeshja nga hiçgjëja, që për dreq mbante sipër vetes, e brenda ca më fort, buzëqeshjen tënde. Sa herë t’gjeja në reflektimet e gjysmëvetes para nji pasqyre që m’tregonte nji shpirt t’katandisur dhe urrehesha!
Pastaj mbushja mushkritë me ajër djalli, dhe filloja largimet, nji luftë t’ftohtë, dhe s’di ç’dreq më shtynte, se unë humbja përherë.
Po tani në djall. Fitove ti!
Mua m’ka ardhur në majë të hundës vetja jote, dashuria ime si trofe pa vlerë.
Jam e ngopur!

copyright. © /
Kristiana M.

4 Comments

  1. Anxhi 02/05/2018 at 9:17 PM

    Magjepsëse!?

    Reply
  2. Suela 02/05/2018 at 9:41 PM

    A ka mundësi të kemi shkrime çdo dite në blog? Unë dua përsëri e përsëri të lexoj këto mrekullira nga ty!❤️

    Reply
    1. Kristiana Mihani - Site Author 02/05/2018 at 11:31 PM

      Më kënaqe shpirtin. ♥️
      Do mundohem të postoj më shpesh. ??

      Reply

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *