I shtrenjti im, i ftohti ka filluar të futet brenda qelizave të çdo njeriu.
Po të shkruaj ty një letër pasi gërmat janë më të vlera se sa fjalët që mund të thuhen…ikin e harrohen.
I shtrenjti im, dritat kanë kapluar të gjithë vendin kanë filluar të ndizen nga çdo njeri sikur të jenë shpresa e tyre e vetme që t’u japi shkëndijën e parë të lumturisë. Po ndezin të gjithë dritat sikur të mos mjaftojnë dhimbjet që kanë të gjithë në zemër, prap guxojnë e guxojnë t’i japin vetes shpresa se jo çdo llambë e fikur në shpirtrat e tyre mund t’i gjunjëzojnë. Sa shumë guxim që kanë i shtrenjti im….
Tani në këto gërma që po të shkruaj jam ulur diku jashtë nje kafeneje. Në një dorë shkruaj për ty në një dorë thith e shijoj cigaren teksa me të ftohtin dalin jashtë meje. Bën ftohtë i shtrenjti e unë nuk guxoj dot të jem e guximshme si disa të tjerë që për të bërë veten të lumtur e me shpresë buzëqeshin e gëzohen e bëjnë foto tek pema e madhe e tek dritat shumëngjyëshe.
I shtrenjti im, shpresoj që dhe ti të jesh duke shpresuar me çdo pjesë të shpirtit që çdo gjë do bëhet më mirë dhe që melodia e festave dhe e gëzimeve të të pushtojnë të gjithë jetën. Dhe pse jo me mua, unë për të parën herë do të them që shpreso i shtrenjti im. Shpreso, lumturo çdo shpirt që ke pranë vetes e krijo shkëndija lumturie në çdo zemër që ti shikon. Shkëndija më e madhe e zemrës do ndizet brenda meje e do më shoqërojë në gjithë këtë dimër e në gjithë këto festa shumëngjyrëshe.
Gezuar festat i shtrenjti im, gëzuar me gjithë mrekullitë e ndjenjave të mia dhe të dashurisë time. Në çdo fytyrë të lumtur që do shoh gjatë jetës time, ti do jesh fytyra ime më ëngjëllore që s’do shuhet kurrë në kujtesën time.
Bën ftohtë zemër, por tani mes shkronjash e mes njerëzve që shoh, e mes kujtimeve të bukura që më zgjon ti, po ngrohem. Po ngrohet shpirti i shtrenjti im. Shpresoj që çdo sekond të jetës tënde të mbizotërojë paqja e lumturia. Oh i shtrenjti im, po ndjej fishekzjarret që po pushtojnë qiellin e ndriçojnë. M’u bë zemra mal sepse dhe sytë e tu prej ëngjëlli po shijojnë atë që po shoh dhe unë. Ora shënon 00:00.
Gëzuar i shtrejnti i shpirtit tim. Të puth nga larg me po aq mall sa mund të kesh dhe ti për mua e po aq mall sa mund të kemi ne të dy për njëri-tjetrin.
Gëzo i shtrenjti im. Të dua!

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *