Unë dua t’i rris kujtimet e mia bashkë me ty!
Dua të krijojmë gjëra, momente nga ato ku jemi vetëm të lumtur, dhe çdo gjë që shkon përtej gjërave që na e bëjnë zemrën të meket së qeshuri prej lumturie, të qëndojë larg e jashtë nesh!
Dua pastaj, edhe të shohim diellin si lind, dhe po, e kam fjalën për zgjimet në orën pesë, apo edhe netët që kalohen pa gjumë, po poshtë yjeve dhe ne bëjmë dashuri me shpirtrat bashkë, edhe flasim pastaj për të gjitha: për qiellin, për rërën, e për dilemat që lidhen me të notuarit në oren pesë të mëngjesit kur uji ngrin dhe as mua e as ty s’na e mban. Të flasim pastaj për fëmijërinë e për frikërat që ende mbajmë brenda vetes dhe na e kthejnë mbrapsh kohën kur tmerreshim prej monstrave që fshiheshin poshtë krevatit a brenda në dollap, e sot vijnë prap mes të gjitha herëve që ne frikemi prej dashurisë, që s’dijmë ta japim si duhet, apo prej asaj që mbase mundemi me humb. Të më tregosh ç’film pe dhe ta ndryshoi humorin kryekeput, e të më tregosh pastaj për endrrat që ke, e t’i realizojmë bashkë, një e nga një.
Dua të jetoj në perqafimet e tua në kohë që të mos ketë kohë dhe të ndjej se si shpirti ngopet tre grima më shumë dhe merr frymë më mirë, me plot.
E di?! Përqafimet e tua janë forma më e bukur e kujtimeve që kemi krijuar. Janë fillimi i gjithë çfarë kemi dhe jemi dhe do jemi, dhe unë dua të jemi përherë, përtej të gjithave: grindjeve pa plan që na mbajnë larg premtimeve prej lumturie që i kemi bërë vetes dhe dashurisë; përtej frikërave që ma stepin shpirtin në një cep e unë s’të flas dot si dua e sa dua; përtej mosdashurisë tende që mbase një ditë do jetë vetëm dashuri, pa dyshime e pa sforcime, po vetëm aq, nji dritë dielli, e qartë fort!
Shpresoj që një ditë, kur ta kthejmë kokën pas kujtimeve, të shohim se kemi krijuar shumë, po asnjëherë boll! Asnjëherë nuk janë boll gjërat që do bëja me ty. Si të të veshtroja mjaltin që të mbajnë sytë përshembull. Ose të të thoja se, ndjej se kam rënë në dashuri me ty, me mënyrën më të poshtër që dashuria të servir, at’ që t’bën me ia humb veten vetes. Po s’ankohem, të pakten jo përherë. Të pakten jo në ditet kur ti di çfare m’i bën mirë shpirtit dhe trishtimi s’është më dhimbje pastaj.
Dua të krijoj me ty, gjithë kujtimet që do i mbaj në letra që shkruhen e dërgohen, e mbase një ditë ku i dihet, me kujtimet bashkë edhe unë, do jem rritur mjaftueshëm, aq sa të ta them me zë se, ora po shkon dy, dhe unë ende ndjej se përtej çdo grimnaje prej grindjesh e palumturie, nuk dua të të humbas.
Copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *