Më kujtohet, kur të pashë për herë të parë, ndjeva ndroje, atë që ndjen çdo vajzë kur nji mashkull e ka ba m’u ndi e pabukur, e pastaj gjendet para nji buzëqeshje që ta kput trishtimin krejt, e t’jep morrica n’trup. Ndjeva se, nuk doja me t’pas asnjë sekond afër vetes se pastaj mbase do ndjehesha vulnerabël dhe më pat’ ardh’ në majë të hundës të qenit e pamjaftueshme.
Ishte nji kohë pranvere ku, kisha vendos’ me ia lan pas vetes dimrat e me shiju veç veten e ma t’mirën time. Edhe as nuk e mendoja hiç se, nji ditë, mund t’ishe ti më e mira ime, nji ditë prej pranvere me lule krejt.
Ishte kur fillova me kuptu se, mbi t’gjitha po kërkoja veten, e se kisha nevojë për veten, kur m’u shfaqe ti.
E unë flisja. Flisja shumë, e flisja kot, e qeshja fort. Edhe ti qeshje, edhe m’baje edhe mue m’u qesh edhe me mendu ashtu shkarazi se, ti ke buzëqeshje që ta ban shpirtin me lind prap. Po n’at’ kohë, ia fusja shuplaka mendimeve t’mia e flisja prap plot e kot, për me fsheh gjithë pasiguritë e pamjaftueshmërinë që kisha premtu se, nuk do ishte ma imja.
Pastaj më kujtohet kur fillova me dasht me u ndje e bukur, me u duk ma femër, me ra ca ma shumë në sy, e me buzëqesh ma fort. Fillova me dash me shkru ma shumë, me u fotografu ma shumë, me i pas buzet të lyme me buzëkuq e për me u duk si rreze drite, edhe të t’kaloja pranë pastaj e m’u ba kinse s’e dijsha hic që ti ishe aty.
Sa kalama hë?
E di, kam zgjedh përherë metoda si t’nji gjatëmbëdhjetëvjeçareje që mundohet me i pelqy djalit që dashuron për herë të parë. Veçse, për mu s’ishte e para. Sa herë më parë kisha thanë se nuk do doja kurrë sy ndryshe, a zemër ndryshe, e pastaj të gjeta ty. Vetëmse a din, ndonjëerë s’kane rëndsi numrat, a dashnitë pa dashni kur ishe fmi boll e s’kuptoje veten e jo ma nji mashkull. Jo se tani i kuptoj; jo se tani jam fort ma e pjekur veçse, unë e kam ndje përherë se pavarsisht numrave e kohëve t’ikuna, ti ishe ma e bukura që kishte ndodh’.
Edhe më kujtohet si ndjeja frikë e tutje. Si stepesha kur sapo t’shifja e i çoja në djall pastaj të gjitha herët kur t’kërkoja e s’të gjeja, e kur ma n’fund t’gjeja; e buzët me të kuq pastaj, e fustanet me lule plot. Fliste droja para meje, e unë veç ikja si burracake. E kur t’gjeja ty pastaj, mu para ftyres teme, buzëqeshja e, as nuk e mendoja se po m’plaste dashnia nga sytë, e harroja me u vetëmbrojt.
Më kujtohet pastaj, edhe hera e parë kur jemi përqafu. Kur m’qe shtrydh shpirti nga mungesa që jepje e pastaj ndjeva se, veç duke m’përthit krahet kah trupit tim vocërrak, lumturia fiks, atë pamje kishte. Më kujtohet se si u bana egoiste e doja me e mbajt zemrën time për vete. Po bota s’u përket frikacakëve, e dashnia edhe ma pak.
E vendosa me t’dash pastaj, me pafrika, me veten time komplet, me fjalët e thana kot e heret kur flisja plot e qeshnim bashkë; me netët kur i lyja buzët e kuqe e ti, m’thoje se ngjaja bukur e unë mbaja ende drojen n’gjys-përqafimet që s’të jepja.
Unë i mbaj mend të gjitha, unë që harroj emra, data, njerëz e ndonjëherë edhe veten.
E me kohën pastaj, harrova dhe zemrën, kah teje, e s’di si me ma kthy.

copyright. © /
Kristiana M.

6 Comments

  1. Suela 01/27/2018 at 10:45 PM

    Ç’të them une ty? Sme ka mbet asgjë të them, pa fjalë.. Vetëm dashuri përcjell ti dhe doza të forta emocionesh e kujtimesh, sepse ti di kaq bukur të na përfshish të gjithëve në shkrimet e tua. Çdokush nga ne e gjen veten e një copëz zemre tek këto copëza dashurie.❤️

    Reply
    1. Kristiana Mihani - Site Author 01/28/2018 at 9:06 AM

      Sui ?
      Je ti që më le pa fjalë me komentet e tua me kaq shumë dashuri dhe pozitivitet.
      Faleminderit shumë! ♥️

      Reply
  2. Rea ⛅ 01/27/2018 at 11:20 PM

    Kristiana, je nje shpirt i bukur. ??

    Reply
    1. Kristiana Mihani - Site Author 01/28/2018 at 9:04 AM

      Rea, artiste, të përqafoj! Faleminderit. ❤️

      Reply
  3. Erisa 01/28/2018 at 12:25 AM

    Loved it ☺

    Reply

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *