Po shikoja sot foto nëpër rrjete sociale, fytyra femash të lumtura, me lule, me fustane, e mbi të gjitha me sytë e qeshur. Pastaj po lexoja postime, shkrime urime, edhe mendoj se është diçka kaq e bukur të urosh kë të qëndron në vendin më special të zemrës.
Lexoja pastaj edhe urime nga meshkuj: për nënat, për motrat, për të dashurat, për partneret e tyre. Dhe kjo ishte bukur dyfish. Pastaj pak më tutje më zuri syri edhe video të mikeve të mia, te mbledhura me nënat dhe motrat e tyre dhe festonin. Edhe buzëqesha ndërsa prisja të më mbaronte orari i punës e të mund të kthehesha në shtëpi për të pushuar paksa.
Nuk dua të tregohem hipokrite. Jam vertet kaq e lumtur kur shoh femra që vishen kaq bukur, që festojnë, që marrin urime, lule e mbi të gjitha buzëqeshje. Edhe mua sot m’u urua 8 marsi. M’u urua si vajzë nga ime më kur erdhi dhe më puthi në ballë edhe më kujtoi se sa e fortë jam çdo ditë dhe as që e vë re; pastaj nga një koleg pune që në vend të përqafimit preferoi të më puthte dorën dhe unë nuk di ta përshkruaj emocionin që një gjest kaq i thjeshtë e pa asnjë farë keqdashje në të, mundi të më dhuronte. Pastaj nga bordi drejtues i punës që vendosi t’u dhuronte të gjitha femrave, nga një lule. Dhe këtë e prisja më pak. Dhe edhe për këtë u gëzova njësoj.
E megjithatë kur e mendoj, me duket se është e padrejtë. Cfarë?!
Po ja, më duket e padrejtë që femrat duhet të ndjehen qendra e botës vetëm për 8 Mars. Edhe e di se keni dëgjuar kaq shumë klishe rreth kësaj dhe nuk dua të bëhem pjesë e turmës që shpërfill lulet e çokollatat, por dua të them se, femrat meritojnë t’u festohet çdo ditë e tyre. M’u duk e padrejtë se si një femre nuk i dhurohet lule në ditë fare normale, fare pa plane, e mbi të gjitha në ato që nuk kanë Diell; më duket e padrejtë që një femre të mos i puthësh dorën a ballin, ashtu fare kot, vetëm për t’i kujtuar se je aty dhe do ta falenderosh mu nga brenda shpirtit. Dhe më besoni, kjo vlen më shumë se çdo gjë.
M’u duk e padrejtë që femrat duhet të vishen bukur e të festojnë vetëm kur është festë, kur në fakt ato meritojnë të kenë festë për ditë, së paku brenda zemrës që u mban plot, e jep plot, e merr pak. M’u duk e padrejtë kur pas fotove me festë-zhurmë plot, fshihen fraza të tipit “mbylle gojen”, apo më keq akoma, fytyra që goditen e dyer që përplasen. M’u duk e padrejtë për të gjitha ato femra dhe vajza atje jashtë që nuk marrin as lule, as çokollata, as përqafime, as puthje në ballë a duar, e më pak akoma një “Bëhu gati se po vij të të marr për të festuar.”
Për të festuar çfarë?
Për 364 ditët ku të qenit femër është gjëja më normale në botë, dhe të dhënit dashuri me mbi ç’të mban shpirti është detyrë, a më keq akoma, trofe i kujt kujtohet për kë ka dalë nga brinja e tij e jo këmbet, vetëm në një datë tetë pranvere, të çdo viti!

copyright. © /
Kristiana M.

2 Comments

  1. Katerina 03/08/2018 at 5:52 PM

    #womenforwomen ?

    Reply

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *