Kjo nuk është një histori ndarjeje. Kjo është një histori për dashurinë për veten.

Ka disa kohë që mendoj të shkruaj, çfarë të shkruaj, çfarë të postoj në blog, apo nëse dua të postoj në blog. Ka disa kohë që kam menduar të fus një rubrikë të re në blog, pak më personale, me gjëra që i përjetoj unë, po i përjeton dhe ti. Të flas për gjëra që më bëjnë mua të qaj, po për të cilat qan edhe ti gjithashtu. Gjëra që ty të bëjnë të lumtur, po edhe mua po ashtu! 

Dhe dua t’ia filloj me diçka që të paktën një herë në jetë, secili nga ne e ka përjetuar: të përfundosh një histori dashurie.

«KJO NUK ËSHTË NJË HISTORI NDARJEJE. KJO ËSHTË NJË HISTORI PËR DASHURINË PËR VETEN.»

Ndodhi të përfundoja një histori tre vjeçare me dikë që e doja shumë, shumë, shumë! Dhe të gjitha copat e krisura u thyen brenda meje, dhe unë as që e dija më kush isha. 

*unë, jam unë, je ti, është ajo, po edhe ai

Orët e para e ndjeja trurin të mpirë edhe doja të fshihesha në një cep e të qaja, a të përqafoja ndonjë kalimtar edhe të qaja sërish. Po pastaj telefonova mamin dhe qava gjithsesi. Dhe sa nga ju do mendojnë “Sa e dobet”. Po më thoni pak, kush humbi personin që donte më shumë dhe ishte krejt i fortë po aty?!
Pastaj vijnë ditët, ku bota të duket vetëm, ti je vetëm, koka kaos, zemra kaos, shtëpia lëmsh, e stomaku bosh. Dhimbja po aty, edhe mungesa të vjen të ulet në prehër bashkë me fotot, me mesazhet, me storyt e tij në Instagram, me një “online” në Whatsapp po ti nuk merr asnjë mesazh. 
Pastaj vjen harresa që s’e bën dot tënden. Ditët që i kafshon ashtu pak nga pak, sa për mos t’u ngopur vetëm me lot. Kur fillon e del me miq, kur do dëshpërimisht të gjesh dikë që ta zëvendësojë vetmine, po vetmia mbetet po aty.

Po kjo nuk është histori ndarjeje.

Kjo është historia e dikujt që dashuroi një narciz, e pastaj nuk donte as veten. Po unë vetëm sot i kuptoj gabimet e mia. 
Gabimet e kujt do dikë që nuk e dashuron njësoj, por e ka xhan. Gabimet e dikujt që bëhet histerike, çon romane, dhe merr si përgjigje heshtjen. Gabimet e dikujt që kur nuk merr dashuri, nxjerr vrer nga goja, po dashurinë për ty e kishte po aty e, edhe kur të mallkonte të donte po njësoj.
Po kur koha kalon, edhe malli, edhe zemra që dhemb po me të njejtin intensitet rrahjeje, të behen njish me monotoninë e mëson të presësh.
E kur mëson të presësh, mëson të njohësh veten, të flasësh me veten, e t’i hedhësh tutje edhe fajet që nuk ishin të tuat por ti i pranoje se, “më mirë të jetë faji im se sa të largohet”. 
Sa e sa njerëz kanë jetuar një lidhje toksike që i merrte frymën po nuk e lëshonin dot?! Një lidhje që ishte çdo gjë, CDO GJË (po përmbante hic!).
Cfarëdo që do bësh lidhet me personin tjerër: oraret, kur ha, nëse ha, nëse fle, kur fle, nëse del, kur qan, kur qesh, kur ulëret, kur sëmuresh, kur zgjohesh me refluks e të vjella gjaku, kur je e lumtur e kënaqesh me thërrime. 
Po gjysmat nuk ta mbushin kurrë shpirtin, e nëse ti jep botën, nuk mund të pranosh më pak se aq.
E kjo, ishte faza e reflektimit, e mbushur me inat, ku doje që e gjithë bota t’ia japi fajin atij/asaj që ti të ndjehesh më mirë. Po egoja nuk ta shëroka dashurinë.

Po të pakten i kthen sytë nga vetja. 

Se kur jeton me njerëz toksik, nuk është e vërtetë që ti nuk e sheh veten. E sheh, po e sheh si gjysëm a si çerek. Të pa mjaftueshme dhe të pabukur, aspak të zgjuar, aspak të zonjen, pa ëndrra, më pak se të tjeret e krahasimi pastaj të kthehet sëmundje.
Njerëzit osë të duan e të thonë sa e mrekullueshme je, ose nuk të duan e të quajnë “patate” e ti ndjehesh vërtet patate: e shëndoshë, e shëmtuar, e kaq. 
Dhe sot, unë po mësoj si ta shoh veten jo me sytë e një patateje, po me sytë e kujt e do veten pak më shumë çdo ditë. Që ndjek ëndrrat e veta pak më shumë çdo ditë, apo së paku bën listen e gjërave që do të arrijë. Dikujt që e sheh telefonin jo për të pritur mesazhet, po se çdo orë që ikën e çdo ditë që ecën është më afër vetes time më të mirë, zemres time më të lumtur.
Kur humbet njerun që do më shumë në botë, jo përherë e gjen veten, të paktën jo menjëhere. Mund të të duhen muaj pak a muaj shumë që ngjajnë si shekuj. Mund të të duhen ndoshta edhe vite, pak dëshpërim, çik melankoli në netë vere ku të gjithë janë në jug po ti në shtëpi. Mund të të duhet edhe të humbasësh miq pak a miq shumë që nuk t’i kuptuan dot as krizat nervore e as zemrën e dobët, po nuk ka gjë.
Kuptoje ti veten. Edhe në netë ku ndjehesh vetëm po s’ka gjë se vetmia kalon.

S’paska dhimbje që nuk kaloka.

E vetmja gjë që nuk kalon e të ngec në fyt, janë mëngjeset pranë kujt të ka xhan po nuk të do. Pranë kujt nuk e di se çfarë ti je për të, e dukshëm nuk je qartësi.
Po kjo nuk është histori ndarjeje. Është histori gjetjeje, bashkimi, me veten pak nga pak, pa kompromise, me pak vetmi po me copa që bëhen bashkë.
Me ditë që të mësojnë mos të hidhesh në krahët e një dashurie që nuk është dashuri vetem sepse dhemb më pak se sa vetmia.
Mëso të shihesh me sytë e tu, siç thotë një vajzë që ndjek unë në Instagram.
Unë akoma nuk e kam gjetur shikimin tim, po kam gjetur zemrën duke lënë kujtimet, njerëzit që më bëjnë të ndjehesha vetëm.

Nuk ka diell që nuk lind çdo mëngjes, po ti, ti bëhu dielli i vetes tënde.

Copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.