Përshëndetje! (:

Postimi i artikujve ka patur mungesa, dhe kjo përtej angazhimeve të mia, mbi të gjitha sepse kur bëhet fjalë për artikujt, unë mendohem mirë dhe gjatë mbi temat që duhet të përzgjedh, dhe mbi të gjitha për strukturimin. Dhe kjo derivon më së shumti nga fakti se, dua që gjithë seria e Mbi letërsinë dhe për letërsinë, përveçse inspiruese, të jetë interesante dhe e dobishme.

Sot do të flasim për një temë që mua më pëlqen tepër dhe jo rrallë herë më ka bërë të debatoj me njerëz të ndryshëm.

Të inspirohesh nga një libër i lexuar, për të shkruar më pas një libër apo shkrim tëndin. Frymëzim, apo kopje?

Ka vetëm dy mënyra për t’u bërë një shkrimtar i mirë: të shkruash shumë, dhe të lexosh shumë.
Sigurisht, ndërmjet këtyre dy drejtimeve kryesore, ka mjaft këshilla të tjera edhe më specifike, që shumë shkrimtarë profesionistë japin. Por le të ndalemi pak tek pjesa e dytë e këshillës tonë: lexoni shumë!

“Zakonisht mua më ndihmon të shkruaj, të lexuarit. Në një farë mënyre, ingranazhi i leximit në kokën tuaj, rrotullon dhe ingranazhin e të shkruarit”- Steven Wright

Kur lexova këtë citim nga Steven Wrings, ideja që kisha për këtë artikull, mori definitivisht jetë dhe veç kësaj, i dhash edhe përgjigje pyetjes kryesore. Të lexuarit nga ku më pas derivon edhe të shkruarit diçka tënden, një shkrim personal, intim, apo roman, është frymëzim!

Nësë je një shkrimtar, ose shkruan, mesiguri do biesh dakord me faktin se arti i të shkruarit është i pamundur të mësohet. Është e pamundur të përfundosh disa kurse mbi të shkruarit apo të diplomosheh nga ndonjë universitet me titullin “shkrimtar profesionist”. Nëse e mendoni si diçka të mundur, atëhere më vjen keq t’ju zhgënjej e t’ju them se nuk është aspak kështu.
Të shkruarit është dhunti. Por kjo dhunti është disi e ndërlikuar sepse është diçka që nuk mund të përfitohet thjesht duke mësuar disa rregulla gramatikore apo sintaksore, rregullat mbi shenjat e pikësimit, apo disa teknika të ndryshme rreth të shkruarit. Nëse i keni përftuar këto që sapo u thanë më lart, mesiguri ju do dini si të shkruani mirë. Por të shkruash mirë, dhe të jesh një shkrimtar i mirë, janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Vetëm leximi mund t’ju ndihmojë të bëheni shkrimtarë vërtet të mirë, duke e konsideruar talentit si bazën e gjithë kësaj.

Por si?! Si mund të të ndihmojë leximi për t’u bërë një shkrimtar më i mirë?!

  • Të ndihmon të gjesh frymëzim.
  • Të ndihmon të marrësh njohuri të reja.
  • Të ndihmon të mësosh në ç’zhaner ti përfshihesh më mirë.
  • Të ndihmon të pasurosh fjalorin me neologjizma dhe plot fjalë të tjera.
  • Të ndihmon të kuptosh më mirë gjuhën.

A e imagjinoni dot një muzikant që vetë nuk dëgjon muzikë?! (përjashtijmë rastin e Bethovenit sepse ai ishte gjeni). E njejta pyetje shtrohet kur bëhet fjalë për të shkruarin tuaj.  Asnjë teknikë apo rregull nuk do t’ju lejojë t’i kuptoni lexuesit tuaj, nëse më parë nuk jeni një lexues vetë.

Po a ka kjo të bëjë me frymëzim apo kopjim nga libri i lexuar?!

Unë zgjedh opsionin e parë, atë të cilin e kam rradhitur edhe si të tillë, në pikat më lart. Nëse ti je dikush që shkruan, edhe pa e vënë re, gjatë gjithë kohës je duke e lexuar librin me syrin e një shkrimtari, profesionist ose jo.
Dhe kjo ndikon, shumë. Pa e vënë re, ne frymëzohemi nga ajo çfarë lexojmë: nga historia, nga personazhet, nga ngjarjet, dialogu, dhe madje edhe stili të shkruarit i një shkrimtari. Dhe kjo e dyfishon përmasën e vet, kur shkrimtari i librit është një nga më të zotët, nga më të dëgjuarit. Dhe nuk e shmang dot. Thjesht ndodh.

Kam patur një debat me dikë për këtë, disa kohë më parë. Pasi kisha lexuar një roman që më kishte lënë mbresa, nisa të shkruaja diçka vetë dhe ta publikoja. Thelbi i historisë që unë po shkruaja, me atë të best-sellerit në shitje, nuk kishte asgjë të përbashkët. Ishte thjesht çështje stili. Anjë përsonazh identik, asnjë karakter i ngjashëm, dhe asnjë bosht ngjarjesh që mund të krijonin përputhje me njëra-tjetrën. E megjithatë mua më akuzuan për plagjaturë, aq sa m’u desh ta fshija atë çfarë po shkruaja.
Me kalimin e kohës, kur best-selleri e kishte humbur shkëlqimin e tij, dhe unë ndërkohë vazhdoja ende të mbaja ritmin tim, stilin tim në të shkruar, duke huazuar frymëzime herë pas here nga libra të ndryshëm po edhe nga shkrime të shkrimtarëve të rinj që vetë publikoheshin nëpër rrjetet sociale, fillova të merrja përgëzime dhe fjalë urimesh nga mjaft njerëz. Madje m’u kërkua edhe të ripublikoja ç’kisha fshirë pak kohë më parë.
Dhe aty u binda edhe më për bindjen time.

Para se të jemi shkrimtarë të mirë, duket të jemi lexues të mirë. Kjo domosdo, krijon frymëzim dhe inspirim tek ne, por kurrësesi kopjim. Të kopjosh, do të thotë t’i marrësh rrafshin kurrizor një historie dhe ta vendosësh atë në tënden. Do të thotë ta marrësh një histori dhe t’i ndryshosh fillimin, fundin, apo personazhet.
Ndërsa të frymëzohesh, shkon shumë më tej, vite dritë larg nga kjo!

copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *