«Ça po ndodh në rrugët e një Shqipërie të vogël?»
«Po ndodh që studentëve u ka ardhur shpirti në majë të hundës, dhe po dalin të protestojnë!»

U mendova pak para se të shkruaja diçka rreth gjithë kësaj çfarë po ndodh në shumë qytete të Shqipërisë. Rrugët e bllokuara dhe një rini e bashkuar duke ulëritur të drejtat e tyre, flet shumë më shumë nga çdo shkrim në blog, nga çdo artikull, nga çdo opinion. Megjithatë, si një studente e sapo diplomuar pak muaj më parë, ndjeva se nuk mund të heshtja.
Si dreqin mund të hesht, kur pesë vitet e shkollës, që duhet të ishin VETËM TË SHKOLLËS, VETËM PËR TË STUDIUAR, i kam shpenzuar (dhe si unë sa e sa të tjerë) duke mos jetuar jetën e moshës që kisha. Kur pesë vitet në një fakultet që e zgjodha me dëshirë të madhe, me ëndrra të mëdha, i kalova duke planifikuar minutat shtëpi – shkollë – punë dhe autobuzi i unazës që vonohej, dhe në 11 të natës, nuk kisha më fuqi as të merrja frymë ndonjëherë, e jo më të lexoja!
Kur rroga ime mbaronte ende pa ardhur në llogarinë bankare, nga fletët e formatit A4 që shkonin më tepër sa shpenzimet mujore; nga librat që nuk gjendeshin KURRË në biblotekë, e nga tarifat më të larta se rrogat e prindërve tanë.
Dhe pastaj kur sezoni i provimeve vinte, ne ishim NGELËS!
Se ky sistem me njerëz egocentrikë, nuk ia ka idenë ç’do të thotë të jetosh një jetë ku del nga shtëpia në oren 7 dhe të duhet të kthehesh ne oren 23! Kur s’ke kohë të hash një vakt të hajrit në shtëpi. Kur s’ke kohë as të pushosh, të lexosh, e jo më të shkosh në kinema. Shkurt, s’ke kohë të jetosh si një 20 vjeçar!
Po për kushtet e shkollave tona a do flasim? Për mësimin në orën 8 në ditë super të ftohta, pa sistem ngrohjeje e me pedagogë hiserikë që i ngroh pallto prej pellushi, e ne, që detyroheshim të hiqnim shalla dhe kapuça, se S’E LEJON RREGULLORJA!
A do flasim për të drejën e fjales që nuk e patëm kurrë, se ndryshe “SA TË JEM UNË GJALLË, S’E KALON NJERI LËNDËN!”
A do flasim për uljet e notës, të dinjitetit dhe dhunës psikologjike ndër vite?
Po sot, pas shumë vitesh kur do doja të kisha patur një grusht, a shumë grushta kur zemra dukej se do plaste nga inati, unë kaloj në rrugët e një qyteti të vogël, me njerëz të mëdhenj, që ulërasin fort, e kërkojnë vetëm një gjë: TË DËGJOHEN!
E ardhmja e çdo kombi nis nga studentët, nga ata që duan shkollën, po dreqi e mori edhe një kafe do e pijnë, se lodhja dhe strapacimi nuk përballohen vetëm me një molto, që e ha rrugës, duke nxituar në seminarin e një pedagogu që do të duhet ta presësh 40 minuta.
E ardhmja nis me ata që janë në shesh, apo ata që si unë qëndrojnë pas kompjuterit të një pune që nuk duan të bejne, si dhuratë a haraç sakrifice, i këtij sistemi të kalbur!

Copyright. © /
Kristiana M.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *